Në emër të kryetarit të Këshillit të Ministrave.org dëshirojmë të sqarojmë të gjithë minatorët se qeveria nuk ka bërë aspak një vesh shurdh dhe një sy qorr, por e ka marrë shumë seriozisht kërkesën e tyre për statusin dhe është duke punuar me të gjitha mënyrat për ta kthyer “statusin e minatorëve” në një prioritet të sajin.
Kryeministri Sali Berisha gjendej para gazetarëve kur ka ka mësuar se një grup minatorësh ishin mbledhur poshtë zyrës së tij, për të protestuar. I pushtuar nga një dëshirë të madhe për të vrapuar tek dritarja e tij dhe për të kryer ritin tradicional të përshëndetjes së protestuesve, kryeministri ka sajuar menjëherë një histori për të hequr qafe gazetarët.
Ai u ka bërë me dije se mu përpara zyrës së tij një trupë e njohur cirku po jepte një shfaqje madhështore, për të përgëzuar qeverinë për arritjet e saj dhe se gazetarët bënin mirë që të nxitonin ta filmonin këtë rast unik, sepse shfaqje të tilla natyrore jepeshin vetëm 1 herë në 100 vjet.
Pasi ka nxjerrë gazetarët nga zyra, Berisha menjëherë ka mbledhur Këshillin e Ministrave.org dhe ka kërkuar të mësojë se çfarë donin me ekzaktësi minatorët. Ministri Basha menjëherë e ka informuar se ata kërkonin “statusin”.
“Më trembe mor bukurosh djalë. Un kujtova se kërkonin hapjen e kutive” është shprehur kryeministri Berisha i lehtësuar dhe menjëherë ka dhënë urdhër që tu jepej minatorëve ajo që kërkonin.
"Sikur të isha edhe një herë 20 vjec do të shkoja të punoja minator" ka deklaruar kryeministri duke cituar fjalët e një njeriu të madh.
Kryeministri Berisha ka urdhëruar Ministrin e Shtetit dhe të Internetit, Genc Pollon që në bashkëpunim edhe me Lul Bashën tu merrnin shënim emrat të gjithë minatorëve protestues dhe tu hapnin nga një profil në Facebook.
“Asht e pafalshme, që minatorët të mos me pas nji profil në facebuk, kur qeveria ime ka lshu nismën “Shqipëria në Moshën e Internetit dhe Facebukut”. Pa profil në Facebuk nuk kemi se si ti japim zgjidhje të statusit” , është shprehur kryeministri Berisha dhe ka filluar të ndajë detyrat tek ministrat.
Kryeministri ka propozuar pasi tu hapej një profil në Facebook, të gjithë minatorëve do tu plotësonte edhe kërkesën për statusin. Meqenëse minatorët janë një kategori e veçantë kryeministri ka propozuar që tek statusi i tyre alternativat i martuar/beqar të zëvëndësoheshin me alternativat : me lesh/ pa lesh si do që ta kesh prapë minator do të jesh.
Luli është caktuar që të marrë emrat e minatorëve, dy Gencat bashkë me Majlindën janë caktuar tu hapin nga një profil në Facebook, ndërsa detyra më e vështirë ajo e zbulimit nëse minatorët janë me lesh apo pa lesh i është besuar ministrit Prifti.
Ministri Prifti nuk ka pasur asnjë kundërshtim, por thjesht ka kërkuar ndihmën e policisë dhe ministrit Basha që minatorët të mos përziheshin me pjesën tjetër të qytetarëve, në mënyrë që përcaktimi I statusit të tyre të bëhej sa më shpejt.
Pikërisht për këtë arsye policia ka bllokuar qarkullimin e makinave në bulevard dhe pasi ka filluar shiu u ka kërkuar minatorëve që të hyjnë në ndonjë strehë që të mos u lagen leshtë, gjë që do të bënte të dështonte përcaktimi i statusit të tyre. Kjo ka bërë që minatorëve tu ngriheshin leshtë përpjetë dhe të refuzonin strehimin poshtë ndonjë peme.
Pas kësaj policët kanë ndërhyrë, duke i bërë një masazh të shpejtë me shkopa gome në trup minatorëve, në mënyrë që ti uleshin leshtë dhe të mos rrezikon ngrirjen nga të ftohtit. [VIDEO]
Masat e ndërrmara nga forcat e policisë nuk janë pëlqyer nga opozita e cila ka dezinformuar opinionin duke përhapur lajmin sikur minatorët e rrahur nga jeta, ishin rrahur edhe nga policia.
Këtë shpifje të opozitës, Këshilli i Ministrave.org e hedh poshtë me forcë.
























Powered by jWarlock jwFacebook Comments