Keshilli i Ministrave.org


 dezINFORMACION                                   LAJMET KRYESORE           

Kryeministri i Shqiperise

Prof.Dr. Sali Berisha

Biografique et historique personalique

 


 

"Biografique et Historique Qeverique"




 PER TE HUAJT QE VIZITOJNE SHQIPERINE

BULETINI (DEZ)INFORMATIV

"HISTORIA E SHQIPERISE"

NGA STUDIUESIT DHE HISTORIANET E KESHILLIT TE MINISTRAVE.ORG    





 

       Njoftim i Këshillit të Ministrave.org

Me shpalljen e nismës më të re ”Politika në Shërbim të Popullit” e lançuar nga Këshilli i Ministrave, ju ftojme të merrni pjesë në sondazhin publik, ku shqiptarët mund të thonë fjalën e tyre, liria e të cilës mbrohet me ligj.

Ju falenderojmë për moskuptimin. Kabineti i KM.org

Shkarkoni sondazhin

 

Intervista e rradhes

Kryeministri Sali Berisha ka kritikuar Ministrin e Punës,
Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Kosta Barka se nuk po punohet siç duhet për për rehabilitimin e fëmijëve në nevojë. Lypësat e vegjël, që vuajnë për bukë, nuk duhet të ketë më në Shqipëri, dhe për këtë Berisha kërkoi mënjëherë nga strukturat përkatëse që të sistemohen këta fëmijë. Lidhur me këtë, Zëdhënësi i KM.org, siguroi një intervistë ekskluzive nga një funksionar i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Selman Shllapani, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Klikoni për të lexuar intervistën e plotë. . . . 

 

Ri-atdhesimi i shqiptarëve

Pas deklaratës së kryeministrit italian Silvio Berlusconi se do
të riatdhesojë emigrantët e  paligjshëm, ka reaguar homologu i tij shqiptar, kryeministri Sali Berisha, i cili në një konferencë pa shtyp sqaroi se nuk duhet keqkuptuar kjo nismë e qeverisë italiane. Ne po pregatitemi të ndërtojmë një nga veprat më të mëdha shqiptare, reaktorin bërthamor. Për ta ndërtuar në kohën e duhur, do të kemi nevojë për sa më shumë krahë pune. Për këtë, qeveria mike italiane mendoi të sillte me shpenzimet e veta, emigrantët shqiptarë, me qëllim që reaktorin tonë ta ndërtojmë me forcat tona. Unë jam mëse i sigurt se emigrantët shqipëtarë nuk do ta keqkuptojnë këtë gjest nga ana e italianëve, ashtu si ata nuk e keqkuptuan Selam Musain, kur ai përcolli drejt detit, miqtë tanë italianë, përfundoi kryeministri Berisha. 


Monumenti i Skenderbeut  

Tiranë – Kryeministri Berisha ka premtuar të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës për rikonstruktimin e sheshit Skënderbej. Ky bashkëpunim pa kushte kishte vetëm një kusht. Që sheshi të vazhdojë të ketë monumentin e Skënderbeut. Madje Berisha i ka dërguar Ramës edhe disa modele bocete të ripunuara për monumentin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Kryebashkiaku Rama nuk ka preferuar të japë menjëherë mendimin e tij por u shpreh se për versionin përfundimtar do të vendosë këshilli bashkiak.   

 

 

NJOFTIM PUNËSIMI

Kabineti i Këshillit të Ministrave.org njofton të gjithë të interesuarit se shpall të hapur konkursin e mbyllur për postin e zv/kryeministrit.org

Kërkesa të veçanta për kandidatët:

Kandidatët duhet të jenë të paraqitshëm, të komunikueshëm, të gatshëm për të punuar në grup, madje edhe si tip tëjenë grup fare. Gjithashtu duhet të mos  kenë prekur me duar monedha 500 dhe 1000 lekëshe gjatë këtyre 16 viteve të fundit.

Të njohin programet bazë të kompjuterit si “Shqipëria 1 Euro”, “Shqipëria në moshën e internetit”, “Shqipëria vend eksportues i energjisë elektrike” dhe “Skema e kafshatës”.

Njoftojmë se aplikimet duhet të dërgohen me email në zedhenesi@keshilliministrave.org


  

Deklaratë për Shtyp

 

Te nderuar kolege!

Ne emer te KeshilliMinistrave.org, ju falenderojme të gjithë juve qe na keni shkruar dhe qe vazhdoni të na dergoni komentet në faqen tonë “zyrtare”.  

Komentet tuaja na ndihmojnë të përmirësojmë  punen tone, misionin tonë.

Ju sigurojmë se komentet apo sugjerimet tuaja  vazhdojne te lexohen pa asnjë përjashtim nga vete stafi i Kabinetit Qejfveritar.

                                

                                       Ju mirëpresim.

                      Zëdhënësi i Keshillit te Ministrave.org

                      Drejtoria e Maredhenjeve me Shtypin

 

zedhenesi@keshilliministrave.org

 

Kryeministri Berisha në Kishën e Shna Ndout

Pelegrinëve shqiptarë që udhëtonin drejt kishës së Shna

Ndout në Laç, u është bashkuar edhe kryeministri Sali Berisha, i cili duke përfituar atmosfera solemne, ka thënë lutjet e tij .  Një besimtar që u ndodh pranë Berishës, u shpreh se kishte dëgjuar lutjet e kryeministrit,  që ishin: të mos i hiqet imuniteti deputetit Mediu, të mos hapen dosjet dhe ti jepet edhe një mandat tjetër qeverisës deri në 2013. Madje po u plotësua vetëm lutja e fundit, nuk ka problem për dy të tjerat. Kryeministri Berisha shoqërohej nga kryeministrja e parlamentit, Jozefina Topalli, e cila gjithashtu shprehu një dëshirë të vetme, të mos miratohen dekretet e presidentit Topit, kreu i PS, Edi Rama të bëhet deputet, që ajo të mos ja japë fjalën asnjëherë dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ti vihet emri i gjyshit të saj.

 

Zbardhet incidenti që solli pezullimin e Shefit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për
pezullimin e kryepolicit të qarkullimit , Krenar Ahmeti. Akuza në ngarkim të z.Ahmeti është se e ka patur ca zënka të lehta, me një prokurore të krimeve të rënda. Një dedektiv privat ka mundur të zbardhë ngjarjet që e shkaktuan pezullimin e z.Ahmeti, dhe pranoi të shprehej ekskluzivisht për Keshillin e Ministrave.org.
 Sipas dedektivit, ngjarja ka ndodhur në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit ku Krenar Ahmeti ka ndaluar një automjet, ku brenda tij ndodhej një prokurore e krimeve të rënda dhe i shoqi, avokat. Sipas, raportit shkaku i ndalimit ishte shpejtësia dhe dyshimi për konsum të pijeve alkolike. Drejuesve të automjetit, u janë kërkuar dokumentacioni i makinës dhe ju bë testi i alkoolit. Dokumentat ishin në rregull. Por kryerja e testit për pije alkoolike, ka rezultuar pozitiv. Sipas raportit, burrit të prokurores ju gjend 2% gjak në alkool. Prokurorja ka nisur të shpjegojë se pijet që sapo kishin konsumuar ishin prodhim vendi, pra mall me hile. Rrjedhimisht, uiski i pranishëm në organizmin e saj, nuk mund të përmbante alkool. Madje zonja në fjalë, aty për aty,  zgjidhi një fjalëkryq pa ndihmën e burrit, nuk e bindën shef Krenarin, se ata ishin esëll. Burri i prokurores u përpoq të negocionte dhe premtoi se do ecte 10 metra me vertikale, por as kjo metodë nuk ishte e mjaftueshme për z.Krenar, i cili deklaroi se vegla e testit të alkoolit ishte e saktë. Menjëherë ka reaguar prokurorja e cila i ka thënë Krenarit se nuk u punonte mirë vegla, i cili është kundërpërgjigjur me një shprehje aristoteliane. Por shprehjes krenare të Krenarit se “Para ligjit jemi të gjithë të barabartë”, prokurorja, me një prokurë të posaçme, i është përgjigjur se “disa janë më të barabartë se të tjerët”. Aty Krenari u ka thënë se i plasën shpirtin dhe se do ti plaste në qeli të dy,  se është detyruar ta shoqëronte avokatin, në dhomat e ndalimit për një formalitet, por prokurorja vendosi të mos e braktiste burrin, sipas betimit të altarit.


 

Drejt për fundimit skenari i filmit për Gërdecin

Shkrimtarja Ina Rama ka dërguar 4 volume shtesë me 1000
e ca faqe të destinuar për skenarin e filmit “Harri Poter në Kështjellën e Gër Decit”. Shtëpia Botuese “Parlamenti” do të shqyrtojë materialet e ardhura, të cilat përshkruajnë episodet e fundit të një aventure të mrekullueshme të personazhit kryesor, i cili interpretohet nga aktori Fatmir Mediu.

Disa fansa socialistë janë shprehur të indinjuar drejt regjizores Topalli, pasi po shtyhet pa kuptim, data e fillimit të xhirimeve.  Por producenti i njohur i Alba-Woodit, Sali Berisha premton se ky prodhim filmik politik do të ketë mjaft sukses, duke arritur rekorde shikuesish.

 

Presidenti Bush ushqehet shqiptarçe

Presidenti i SHBA, Xh. W. Bush, gjatë drekës në Zagreb, 
    ka marrë si dhuratë nga kryeministri Sali Berisha, një  pjatë argjendi me motive kombëtare shqiptare. Menjëherë presidenti Bush ka kërkuar ti hidhet gjella në pjatën e sapo-dhuruar. Autoritetet kroate kanë protestuar duke e konsideruar kërkesën e Bushit, si incident diplomatik duke argumentuar se grosha kroate nuk mund të shërbehet në pjatë shqiptare. Atëherë presidenti amerikan e ka thyer pjatën duke e përplasur përtokë. Ndërkohë kryeministri Berisha, si dëshmitar okular i ngjarjes i ka telefonuar kryeprokurores Ina Rama të fillojë hetimin per zbardhjen e ngjarjes.

 

Coming Soon: Dialog me Shqipërinë në NATO

Për herë të parë në historinë politike shqiptare dy liderët
e partive më të mëdha në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama, do të dalin në një turne të vetëm së bashku. Ky është propozimi më i fundit i dyanshëm i Ramës dhe Berishës, pasi vunë re që fansat  pjesëmarrës në të dy turet, ishin po të njëjtët, dhe ata rraskapiteshin duke shkuar sa tek njëri tubim tek tjetri. Turi i ri do të titullohet “Dialog me Shqipërinë në NATO” dhe do të përmbajë fjalimet më të mira ndër vite. Suksesi i këtij turi, është garantuar nga producentët e Ramës dhe Berishës.

 

Berisha: Nuk kemi përplasje me presidentin Topi

Kryeministri Berisha kundërshtoi zërat që pëshpërisnin  korridoreve të parlamentit, ku sipas tyre ai vetë kishte përplasje me presidentin Topi.

Së pari, unë nuk di di jap makinës, kështu që përjashtohet çdo mundësi që unë të jem përplasur me Bamkën. Thuhet poshte e lart se me  presidentin Topi, gjoja paskemi ca  mosmarrveshje për punë dekretesh.

Nuk është e vërtetë. Thjesht duke kundërshtuar njëri-tjetrin, i tregojmë shqipëtarëve se në qeverinë time dhe partinë time, ka demokraci të konsoliduar. Sa për zëvëndësimin e deputetëve Sula dhe Shehu nga komisioni i ligjeve, kryeministri Berisha u shpreh se ata kanë marrë pushimet, me orientim nga lart dhe këshillimi nga poshtë.   

Pentagoni: S`kishim lidhje me Gërdecin.

Zyrtarë burracakë të PentaGonit kanë deklaruar, se nuk kanë

pasur lidhje direkte me Gërdecin dhe se nuk kishin dijeni për këtë fshat. Gjithashtu edhe disa zyrtarë shqiptarë kanë deklaruar se nuk kanë pasur as lidhje me Gërdecin, pasi vete drejtori i KESH-t, Gjergj Bojaxhi i ka prerë të gjitha lidhjet e paligjshme në këtë zonë. Pastaj kur nuk kishim dijeni ne që ishim këtu, si do këni ju atje larg në Amerikë, u shpreh nën zë një nga tanët.  

 

Rama dhe Balla: Shqiptarë, do të lëvizni lirshëm në BE, kur të fitojmë ne.

Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e 2009-ës, dhe dhurata
e parë për shqiptarët do të jetë  lëvizja e lirshme në vendet e BE-së. Kjo deklaratë është bërë nga deputeti i PS-së, Taulant Balla. Gjatë një konference për shtyp, ku i pranishëm ishte edhe kreu i PS Edi Rama, deputeti socialist Balla ka konfirmuar se ”të burgosurit shqiptarë që kërkohen për krime nga shtetet e BE, do të ekstradohen më lirshëm se më parë. Procedurat e thjeshtuara të propozuar nga Partia Socialiste, janë miratuar nga shtetet europiane”.

Ndërkohë kryetari i PS, Edi Rama, ka shtuar se edhe shqiptarët e tjerë, që posedojnë viza Shenghen, mund të lëvizin lirisht nëpër BE, pasi korridoret e aeroporteve dhe trageteve janë rikonstruktuar duke u zgjeruar, për të siguruar një lëvizje sa më të lirshme të shqiptarëve.

 

Njoftim punësimi

 Shoqata e Fermerëve të Hashashit, duke shpallur të hapur
sezonin e korrjeve për stinën e verës, njofton se kanë filluar aplikimet për vende pune “korrësa profesionistë ”. Aplikantët duhet të kenë përvojë, së paku tre vjet, të kenë diplomë nga Universiteti Bujqësor i Lazaratit, dhe të dinë të dallojnë hashashin nga kërpi. Paga shumë e mirë dhe stimuluese sipas sasisë së korrjes. Posedimi i një automjeti tip kamionçinë, përbën avantazh. Në përfundim, aplikantët do të pajisen me çertifikatë të njohur nga Ministria e Drogës dhe Dozave të Barabarta. Ky aktivitet sponsorizohet nga oranizata “Hashash Sans Frontier” Dërgoni cv tuaj në adresën e emalit, human_resources@hashash të qofshim falë, prej teje në selamet kemi dale.edu.al

Imuniteti

 

Kryeinfermjerja e parlamentit dr.Jozefina Topalli përsëriti mosmiratimin e saj, për heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu. Zj.Topalli në një konferencë për shtyp pa praninë e medias, u shpreh se ishte konsultuar me dr.Berishën dhe se ky i fundit i kishte dhënë një mendim prej specialisti. Sipas dr.Berishës, njeriu pa-imunitet është i rrezikuar nga viruset gripale si bacili i gërdeco-kokut. Përveç deputetit Mediu, edhe unë jam e rrezikuar nga virusi i mocion-mosbesimit, i cili po kthehet në sëmundje kronike. Prandaj e shoh të arësyeshme që imunitetet të hiqen në një kohë më të përshtatshme, përfundoi pa filluar, dr.Topalli.

Megjithatë mjeku ligjor Spartak Ngjela, është shprehur i shqetësuar për temperaturën në ballin e dr.Topallit duke thënë se i duket mjaft e nxehtë, por kjo e fundit e ka qetësuar dr.Ngjelën se sapo kishte kaluar një të ftohtë.

 

Rama uron kushëririn e tij amerikan, Obamën.
 
Kreu i PS, Edi Rama ka përshëndetur fitoren e kandidatit
demokrat për president, Obamës duke nxjerrë dhe një sekret të panjohur më parë. Barack Obama është kushëriri i tij, i shtatë nga ana e gjyshes. Këtë e vërteton edhe rregjistri i gjendjes civile ku Barack Obama, dikur quhej Bake Orama, banor në rrugën e Durrësit. Lajmi i fitores së Oramës si kandidat për president është pritur me ngazëllim në lagjen e tij, ku komshinjtë kanë thënë fjalët më të mira. Gjithsesi, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga shtabi elektoral i Bake Oramës, mbi prejardhjen e tij shqiptare. Gjithsesi si kushëri i kryetarit të PS, Edi Ramës, presidenti i ardhshëm amerikan pritet të jetë një aleat i fuqishëm i opozitës shqiptare.  
 

Reagon Topalli: Nuk pata presion nga Withers.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka reaguar pas
supozimeve mediatike se është qortuar nga ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers II, mbi vonimin e shqyrtimit të heqjes së deputetit Fatmir Mediu. Zj.Topalli u shpreh se “Vonesa e heqjes së imunitetit të z. Mediu, ka ardhur si pasojë e frikës se mos kreu republikan, merrte ndonjë të ftohtë. Pasi në vendin tonë moti ka qenë i paqëndrueshëm, me vranësira të kthjellëta. Mr.Withers më përgëzoi personalisht për mënyrën amerikane të kryesimit të parlamentit dhe më komplimentoi duke më thënë se unë i dukesha si Kondoliza Rajs.
 

Rama & Berisha

 
Shqipëria, i vetmi vend në botë ku kryeministri bën punën e
kryetarit të bashkisë dhe anasjelltas. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga OKBB mbi punën e kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Studiuesit kanë vërejtur se kryebashkiaku Rama po interesohet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, integrimin në BE, etj. Ndërsa kryeministri Berisha po inaguron rrugë, flet për ujësjellsa, etj. Ndërkohë një profesor i universitetit të Oxxfordit pohon se prej kohësh e kishte pikasur se dy liderët shqiptarë kishin ndërruar rolet. Kjo u vu re kur ata nisën një tur të ngjashëm më njëri-tjetrin. Pas zgjedhjeve të 2009, Berisha dhe Rama do të bëjnë rrokadë, përfundon studimi i OKKB.

 

 

 ! ! ! KUJTESE ! ! !  

 

Ne mbeshtetje te ligjit numer 1/7502, per ndalimin dhe mos lejimin e konsumimit te duhanit ne ambjente publike, familjare dhe private,

Ju lutemi te mos pini duhan gjate leximit te kesaj faqeje.

 

(V.O. Ligji nuk ka fuqi ekzekutive ne rastet kur pini puro) 

            

Ju faleminderit per moskuptimin.

Keshilli i Ministrave.org