Nga burime të brendshme jashtë Prokurorisë së Përgjithshme bëhet e ditur se kryeprokurorja Ina Rama i është ankuar ambasadorit amerikan Withers se institucioni i saj ka ndërhyrje nga politika dhe nga palë të treta.
Menjëherë Withers i ka dërguar një sms qortimi kryeministrit Berisha ku i kërkonte që organet e hetimit duhet të ishin të pavarura dhe të mos kishin ndërhyrje nga askush.
Berisha i habitur i ka kthyer përgjigje ambasadorit se ai vetë nuk kishte hyrë ndonjëherë në prokurori, as dalje, as hyrje e as ndërhyrje. Madje edhe për ndonjë tek-tuk që hetohej nga prokuroria, Berisha nuk kishte ndërhyrë. Ndonjë rekomandim “ma kini kujdes filan ministër” edhe mundet por ndërhyrje kurrë.
Megjithatë Berisha e siguroi në sms Withersin se ky problem do të shqyrtohej në një mbledhje të vecantë të Këshilli të Ministrave.org
Kryeministri Berisha pasi ka mbledhur ministrat në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.org i ka rënë fort tavolinës me pallaskën e mizave.
Ministrat janë hedhur përpjetë të trembur dhe gjithë frikë kanë parë nga shefi.
“Mos të shoh njeri ti afrohet ndërtesës së prokurorisë” ka ulëritur Berisha duke parë nga Fatmir Mediu.
“Nëse doni të tregoni barcaleta me shoqet e klasës, gjeni lokal tjeter” është shprehur shefi duke ju drejtuar Lul Bashës. Ky i fundit ka bërë sikur nuk ka kuptuar gjë.
Në sallë ka rënë heshtja.
Berisha ka hapur sirtarin e ëndrrave dhe pasi ka larguar dosjen “Liberalizimi i Vizave” dhe dosjen “Shqipëri pa Korrupsion” ka gjetur poshtë dosjes “Shqipëria Superfuqi Energjitike”, një kuti ku mbante ëndrrën e tij më të fshehtë që e ruante për ditë të vështira, për ditën e qametit.
Meqënëse dita e qametit, falë reformave të qeverisë është larg, kryeministri Berisha ka vendosur të sakrifikojë endrrën e tij për ndërtimin e të parit stacion hapsinor shqiptar, në funksion të luftës ndaj ndërhyrjeve politike të prokurorisë.
Prokuroria duhet të jetë e pavarur, ka theksuar kryeministri Berisha, prandaj qeveria do të ndërtojë një stacion hapsinor ku brenda tij do të instalohen zyrat e prokurorisë. Në këtë mënyrë, duke ndenjur pezull, prokuroria do të jetë tërësisht e pavarur. Që të eliminohet krejtësisht ndërhyrja e politikanëve ndaj organit të akuzës, qeveria do tu kufizojë vizat për udhëtimet hapsinore të gjithë politikanëve, kunetërve apo baxhanakëve të deputetëve.
Me Ina Ramën nuk do të takohet askush, as ata që kanë mbiemra të njëjtë me të, ka porositur kryeministri Berisha. Ndërsa amerikanët, rusët apo kinezët mund të shkojnë sa herë të duan.
Këshilli i Ministrave.org ka miratuar njëzëri krijimin e Ministrisë Hapsinore e cila do të ketë si detyrë përcaktimin e galaktikës ku do të instalohet stacioni hapsinor i Prokurorisë së Përgjithshme.
Për të ulur shpenzimet, pa paguar rrogë për një ministër shtesë, detyra e ministrit hapsinor i është propozuar Berishës nga vetë kryeministri. Si njeri me hapësirë, Berisha e ka pranuar detyrën e ministrit të hapësirës, duke premtuar se do ti linte të gjithë hapësirën e nevojshme pavarësisë së prokurorisë.
























Powered by jWarlock jwFacebook Comments