Nga burime të mirëbesueshme dhe në besim të mirë, Këshilli i Ministrave.org ka arritur të marrë vesh se pa u marr vesh Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar ligjin për SHISH (Shërbimin Informativ Shtetëror).
Operacioni i koduar BLACK-OUT kishte si qëllim miratimin e ligjit në fshehtësi. Kjo u realizua duke shkaktuar një errësirë totale në të gjithë Shqipërinë. Sebepi gjoja ishte një defekt në hidrocentralin e Fierzës. Por shqipëtarët zor se do ta besojnë se kishte defekt Fierza pasi gjatë qeverisjes së kryeministrit tonë, ikja e dritave është një legjendë urbane që i përket lashtësisë.
Mësohet se edhe vetë kryetari i Këshillit të Ministrave.org nuk ka qenë në dijeni të kësaj mbledhje dhe ka mbetur tepër i habitur kur i ka ardhur një sms, në të cilën shkruhej shkurt ‘Bacë u kry”, kryetari i komisionit të ligjeve e ka vënë në dijeni se e kishin kaluar projekt-ligjin.

Kryetari i komisionit të ligjeve e ka bërë me dije se mbledhja e këtij komisioni ishte mbajtur berish-sekret, (Sqarojmë se termi “top-sekret” përdoret vetëm nga presidenca).
Ligji për shërbimet sekrete duhet të ishte sekret, prandaj ai kishte porositur të gjithë anëtarët e komisionit që të mos nxirrnin sekretin.
Menjëherë pasi lajmi është marrë vesh, kryetari i komisionit të ligjeve i ka kërkuar kryeministrit që të thërriste menjëherë në zyrë kryetarin e SHISH dhe ta detyronte që të zbulonte se nga kishte dalë informacioni sekret, pasi në mbledhje kishte vetëm demokrat dhe jo spiun të opozitës.
Pasi ka marrë vesh se në gjirin e deputetëve të tij mund të kishte ndonjë spiun të opozitës, shefi i këshillit të ministrave.org ka urdhëruar kryetarin e SHISH, që menjëherë ti futej punës dhe ta zbulonte këtë urith të ndyrë.
Kryetari i SHISH, i detyruar edhe nga ligji i ri i sapomiratuar, i është future punës dhe pasi ka vënë në përgjim të gjithë telefonat e atyre që ndodheshin natën e 4 shkurtit në godinën e kryesisë së kuvendit, përveç deputetëve, Gjithashtu janë marrë informacione edhe për të gjithë ata që në orën e mbledhjes kanë qenë duke kaluar në këmbë apo me makinë përeth kryesisë së parlamentit.
Pas një pune të lodhshme gjurmuese, gjurmë më gjurmë e hap pas hapi, SHISH ka zbuluar se informacioni ishte shpërndarë nga roja, i cili i kishte treguar njërës prej sanitareve që natën e 4 shkurtit nuk kishte vënë gjumë në sy.
Roja ka treguar se atë natë ai kishte parë shumë hije në një interval kohe prej dhjetë minutash. Më pas hijet u kishin lënë vendin ca fantazmave me çarçaf të bardhë që endeshin nëpër korridore duke mbajtur disa qirinj nëpër duar.
Roja i godinës ka provuar të futet brenda dhe ti afrohet sallës së komisionit të ligjeve, ku ka dëgjuar disa pëshpërima të pakuptimta. Ai ka pasur frikë të hap derën, por ka afruar syrin dhe ka parë nga vrima e çelësit disa silueta njerëzish që qëndronin në gjysëm errësirë. Kaq ka mjaftuar që roja t’ia fuste vrapit dhe të vinte kujën duke u thënë të gjithëve se godina ishte e ushtur nga djajtë dhe e pushtuar nga lugetërit.

Që të mos ketë më rrjedhje informacioni sekrete, kryeministri ka rekomanduar kreun e SHISH që agjentët të lëvizin të maskuar, të pa-zbuluar, të pa-korruptuar.
























Comments
RSS feed for comments to this post.