Lajme te fresketa:

Ja cilat janë arësyet e pakënaqësive të PS - PD nga tryeza e presidentit Topi

E-mail Print PDF

Posto ne Facebook

Takimi i madh i së shtunës paradite nuk ka kënaqur asnjërën nga palët, të cilët janë larguar nga tavolina duke përmbysur kupat e duke ngritur supat, dmth supet.

Pas takimit që të dy liderët e partive kryesore në vend kanë dalë nga Presidenca duke përplasur dyert dhe duke kërcitur dhëmbët.

Madje mësohet se kryeministri Berisha, i ka kërkuar kreut të PS, Ramës që të bënin një listë të përbashkët të pakënaqësive të tryezës, por ky ja ka prerë shkurt duke i thënë se secili duhej të bënte listën e tij.

Pas kësaj kryeministri Berisha ka dalë përpara gazetarëve dhe u ka treguar fill e për pe të gjitha arsyet se përse nuk kishin arritur një marrëveshje me liderin e opozitës.
Sipas kreut të qeverisë, tryeza kishte shumë mangësi duke filluar që nga materiali me të cilin ishte bërë, i cili nuk ishte ah, por dushk. Edhe karriget, sipas kryeministrit Berisha nuk ishin në lartësinë e duhur, pasi dukej qartë që karrigja e Ramës, jo vetëm ishte më e lartë, por ishte edhe më afër Presidentit Topi.

Kreu i Keshilli të Ministrave.org është shprehur se i kishte mbetur hatri me presidentin Topi, sepse nuk i kishte rezervuar karrigen me pamje nga Dajti dhe dy –tre herë e kishte ndaluar të dilte në dritare dhe të përshëndeste gazetarët.
Kryeministri ka pasur dyshime edhe për cilësinë e kafes, duke u shprehur se kamarieri jo vetëm që ua kishte vonuar kafet, por kafja e tij ishte më e hidhur se ajo e Ramës, përveç kësaj kamarieri ja kishte sjellë sheqerin në kuti, duke e ditur mirë se ai nuk hapte kutitë.

Jo vetëm kaq, por Berisha ka konstatuar, pas dyshimit të shoqëruesit të tij Patozit se tryeza nuk ishte e mirë-niveluar, por anonte pak nga ana e opozitës.
Pikërisht për këtë qëllim, që të shihte diznivelin e tryezës  ai ka kërkuar ti sillnin një gotë verë, por kamarieri i ka sjellë birrë qëllimisht.
Në këtë pikë ka ndërhyrë kryetari i opozitës, i cili i ka zgjatur kryeministrit një verën e tij e cila ishte e mbyllur në kuti dhe e ka kërkuar që ta hapte…

Kryeministri i nxehur e ka quajtur këtë një provokim dhe ka deklaruar prerë se ai nuk i hapte kutitë, sepse ai nuk pinte verë kutie, por vetëm verë të hapur.  Berisha i ka bërë thirrje Presidentit Topi, që ta ndërprisnin dialogun derisa të nivelohej tryeza dhe ka kërkuar ndërhyrjen e ekspertëve, për zgjidhjen e këtij problemi.

Mësohet se kryetari i opozitës i ka kërkuar kreut të qeverisë që të mos i lodhnin kot ekspertët, por ta nivelonin së bashku tavolinën, por sygjerimi i tij është hedhur kategorisht poshtë nga kryeministri Berisha duke u shprehur ishte përfaqësues i mazhorancës dhe jo i Marangozëve. Kreu i qeverisë duke përplasur duart në tavolinë është shprehur se në të shkuarën ai kishte humbur mandate deputetësh për faj të tavolinave pa nivel dhe nuk ishte në nivelin e tij të lejonte që gabime të tilla të përsëriteshin sërisht. Berisha është shprehur se ai vërtet kishte premtuar që nga Italia se do të bëntë lëshime, por ishte kategorisht kundër një tavoline jo të niveluar, apo siç thuhet në gjuhën e ekspertëve, që të mos kishte ardhur në gone…

Ka qenë ndërhyrja e presidentit Topi i cili vendosi të qetësojë gjakrat.
Ai ka nxjerrë nga xhepi i tij dy zara të rrumbullakët dhe ja ka dhënë dy bashkëbiseduesve që ti lëshonin në tavolinë për të provuar nëse ajo është e niveluar apo jo.

Të dy bashkëbiseduesit kanë pranuar dhe pasi kanë bërë provën dhe kanë parë se të dy zarat kanë shkuar nga presidenti Topi, ja kanë veshur këtij të gjitha përgjegjësitë për dështimin e marrëveshjes.

Bëhet e ditur se presidenti Topi do të konsultohet sërish me ndërkombëtarët për të caktuar një tryezë tjetër e cila duhet të përmbushë kushtet e kërkuara nga dy palët e negociatave.

Ndërkohë pritet që tryeza e ardhshme të mbikëqyret nga një numër i madh ekspertësh ndërkombëtarë me përvojë në punishtet e tryezave dhe karrikeve.


Powered by jWarlock jwFacebook Comments

[Sqarim]

Duhet te jeni te regjistruar per te komentuar.

Vitrina e Librit

Albumi qeveritar

Sondazh

KE refuzoi dhenjen e statusit per Shqiperine sepse...







Results