Nismën e qeverisë për të shkurtuar shpenzimet e buxhetit të shtetit me heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë, mediat llafazane po e interpretojnë sikur po kthehet një mundësi të artë abuzimi me pasurinë publike. Sepse të gjitha automjetet që deri në fund të vitit të shkuar ishin në pronësi publike dhe në përdorim të zyrtarëve të lartë ose jo, po shiten me tenderë jo transparentë për "një copë bukë".
Kryeministri Sali Berisha miratoi një vendim nëpërmjet të cilit automjetet e tepërta, në bazë të ligjit do u jepen për t'u parablerë nga vet përdoruesit e tyre.
Në lidhje me këto akuza të pabazuara mediatike, Këshilli i Ministrave.org sqaron se qëprej vitit historik 2005, të gjithë zyrtarët e qeverisë Berisha kanë shkuar në punë me bicikleta, patina, skateboard, surf deri edhe autobusa.
Kjo vërtetohet edhe nëse verifikohen listat e borderove ku shihet se cdo zyrtari të lartë (nga 1 m 40 cm e lart) u janë mbajtur lekët e abonesë. Përjashtim kanë bërë vetëm ata që kanë preferuar të shkojnë në punë në këmbë, me vetmohim dhe sakrificë.
Këshilli i Ministrave.org vuri re qartë punën e palodhur të zyrtarëve të lartë, të cilët nën udhëheqjen e qeverisë vunë në jetë mësimet e mësuesit, arkitektit, kryeministrit Berisha, duke e shpënë Shqipërinë vite dritë larg skëterrës së Edvin Ramës. Për këtë motiv, u pa e arësyeshme që zyrtarëve tu bëhej një dhuratë nga kryeministri Berisha dhe nga kryekuvendarja Topalli.
"Edvin Rama nuk ka shanc me pa n'andërr zyrrtarë si këta të qeverisë se Sali rroftë Berishës, që nuk na jan ankue për asxha por kan punue fort për nji Shqipni ma t'mir" u shpreh kryekuvendarja Topalli.
Por Këshilli i Ministrave.org hedh poshtë pretendimet e mediave llapaqene që shprehen se automjetet në pronësi shtetërore me vlera të konsiderueshme të mund të blihen nga përdoruesit e tyre me çmime qesharake. Kështu automjete me vlerë reale 40 deri në 50 mijë euro po arrijnë të shiten për vetëm 4 deri në 5 milionë lekë të vjetra.
Makinat do tu shiten përdoruesve të tyre me cmimin 1 EURO ose 1 SAL duke qënë konform nismës së kryeministrit të lavdishëm, “SHQIPËRIA 1 EURO”. Por edhe pse ligji e kërkon që seicili zyrtar të paguajë nga 1 EURO ose 1 SAL për makinë, vetë pronarët e rinj të makinave kanë dhuruar për qeverinë nga 4 apo 5 milionë lekë të vjetra.
Madje “shoferët e lartë” i kanë premtuar kryeministrit Berisha se sapo të përfundojnë procedurat e pronësisë së automjeteve, të gjithë do të organizojnë një garë Rally Qeveria nën moton “Shqipëria po Xhiron Gomat”.

























Powered by jWarlock jwFacebook Comments