Lajme te fresketa:

E vërteta mbi lajmin e rrëshqitjes së dherave mbi rrugën e kombit

E-mail Print PDF

Posto ne Facebook

Thuhet se një katastrofë natyrore-tokësore-dherore paska ndodhur në disa segmente të shkurtra prej disa kilometrash përgjatë rrugës kombetare mbi të cilën paskan kanë rënë dhera anti-kombetare. [VIDEO]

Këshilli Ministrave.org gjen rastin të përgënjeshtrojë opozitën e cila nuk ka vonuar të  akuzojë qeverinë për punë të dobët, dhe marrim përsipër të sqarojmë se këto gjëra janë fare normale gjatë punës rrugore, madje në veprat madhështore kudo në botë shkarjet e dheut janë të përditshme.

Madje shpesh, në vend të shkasë dheu nga toka, shkasin njerëzit nga koka.

Për të vërtetuar se ai vetë nuk ka shkarë e as qeveria e tij, kryeministri Berisha kreu një demonstrim live mos-rrëshkitjeje në prani të gazetarëve profesionistë të pajisur me kamera amatore.

Duke rrezikuar jetën por jo kuletën, madje duke rrezikuar të humbiste përqendrimin që i nevojitet për tryezën e presidentit Topi për zgjidhjen e krizës politike, në mes të borës që arrinte me mijëra milimetra lartësi, kryeministri Berisha ka thyer rekordin e vënë nga Deda i shtyllave me tela duke ecur me kepucë të sheshta, pa rrëshkitur aspak.

Të pranishmit vunë re një ecje shumë të qëndrueshme duke mos konstatuar rrëshkitje bore apo dheu.

Duke ju kthyer dherave që gjasme paskan rënë mbi rrugë, të mos harrojmë se kur u ndërtuan piramidat e faraonit socialist Keopsit, kanë shkarë dhera dhe janë rrokullisur gurë duke marrë jetën e miliona skllevërve. Edhe kur u ndërtua Muri i Madh Kinez kanë vdekur me miliarda kinezë.
Ndërsa tek ne në Shqipëri edhe nëse ka shkarë tek tuk ndonjë metër kub dheu në cdo metër linear rrugë kombi por ama i kemi përballuar këto shkarje pa humbur asnjë jetë njeriu, miu apo ariu duke mbrojtur edhe faunën edhe florën.

Qeveria edhe mund të lejojë të hidhet dhe, argjil apo shtuf mbi rrugën e kombit, por kurrë nuk do të lejojë të hidhet mbi babain e kombit as dhe e as baltë por vetëm mjaltë.

Ndërkohë Keshilli Ministrave.org në konfidencë deklaron hapur se dherat janë hedhur qëllimisht në rrugë që opozita të harrojë hapjen e kutive dhe të hapë muhabetin e rrugëve.

Rruga e Kombit që tashmë në të gjithë botën njihet me emrin “Bulevardi Sali Berisha” lartësohet nga dita-ditës për inat të opozitës nga punonjësit që punojnë ditë-natë, me shumë natë se ditë.

Opozita të mos harrojë se këtë vepër e ka bekuar dhe inaguruar vetë i madhi prof.dr.doc.xls.pdf Sali Berisha. Me qëllim që opozitës së kuqe me huqe ti kujtohej inagurimi i veprës madhështore të qeverisë, po i risjellim edhe një herë ngjarjet e ditës historike kur u inagurua rruga e kombit.

Historia e hapjes së tunelit, minutë pas minute.


Ora 11:15 fiks - Kryeministri i Shqipërisë ngjitet nga ana e Thirrës mbi buldozerin e stolisur me flamur kombëtar dhe të pajisur me çekiç pneumatik, i ndjekur nga një numër ministrash të armatosur me vegla thyese dhe shpuese që fillojnë nga varetë dhe mbarojnë tek shkopat e bejsbollit dhe çelësi anglez. Këta instrumenta do të shembin centimetrat e fundit të tunelit të shekullit që do bashkojë shqiptarët. Nga ana tjetër niset delegacioni i Kosovës, me duar në xhepa, por me zemrën plot dashuri.

Ora 11:23 fiks - Eskortat e dy kryeministrave hyjnë nga anët e djathta të tunelit të Kalimashit në drejtime të kundërta. Si pasojë e kësaj, vërehet se dy delegacionet kanë hyrë në tunele të ndryshme.

Ora 11:40 fiks - Koordinohen delegacionet. Delegacioni i Kosovës hyn në tunelin e majtë, ndërsa ai i Shqipërisë del nga tuneli i djathtë, pastaj hyn përsëri në tunelin e majtë, dhe, pasi ka përshkruar dy kilometra e gjysëm, vëren se ka hyrë prapë gabim.

Ora 11:51 fiks - Delegacioni i Kosovës del nga tuneli i majtë dhe qëndron në hyrje të galerisë nga ana e Thirrës duke pritur udhëzime.

Ora 11:55fiks - Delegacioni i Shqipërisë del nga tuneli i djathtë nga ana e Kosovës dhe vëren se në Kosovë s’ka mbetur më këmbë shqiptari. Në të vërtetë, gjithë shqiptarët e Kosovës kanë dy orë që kanë dalë nga ana tjetër me flamuj, byrekë, qebapë, birra Peje dhe suxhuk me vete.

Ora 12:05 fiks - Delegacioni i Shqipërisë më në fund bashkohet me atë të Kosovës nga ana e Thirrës. Në konfuzionin protokollar që pason takimin, kryeministri Thaçi i uron Kryeministrit Berisha mirëseardhjen në Shqipëri. “Heu mirsetëgjeta!” i përgjigjet bujarisht Berisha.

Ora 12:14 fiks - Dy delegacionet nisen për të shembur murin që firma Bechtel është duke ndërtuar nxitimthi me rastin e festës në galerinë e djathtë të tunelit. Nga nxitimi, muri ngrihet me beton të armuar me rrjetë përforcuese titani.

Ora 12:16 fiks - Berisha ngjitet mbi buldozer dhe vë në përdorim çekiçin pneumatik. “Ky” thotë ai, “është matrapiku i kombit, matrapiku NATOs, matrapiku i integrimit”. Ndërkaq, Berisha kthen kokën dhe sheh se ka në krah kryeministrin Thaçi që përshëndet buzëqeshës turmën, duke ngritur gishtin e madh lart. “Çka po bën ti Hashim nga kjo anë?!” thërret i inatosur Berisha, “dil shpejt nga ana tjetër, se na prishe krejt ceremoninë”

Ora 12:24 fiks Berisha urdhëron të gjithë të pranishmit të qëndrojnë në heshtje të plotë, duke pritur mbërritjen e delegacionit kosovar nga ana tjetër e murit. Më në fund dëgjohen disa të trokitura: “Tak-tak!” Berisha i dëgjon, dhe pyet: “Kush asht? Hashim, ti je?” Por nga ana e tjetër e murit vjen përgjigja: “Nuk jam Hashimi, jam Blerimi!”

Ora 12:32 fiks - Berisha urdhëron Blerimin të thërrasë Hashimin dhe ndez motorët e buldozerit. Ndërsa buldozeri i afrohet murit, Berisha thërret: “Hashim, aty je?”, dhe kur i vjen përgjigjja “Po, ktu jam!”, i thërret: “Tani ik që aty!” Që nga ana tjetër i vjen përgjigja: “Ani mir, po ti vet më the me ardh!”

Ora 12:33 fiks - Në çastin kur çekiçi pneumatik i afrohet murit, palës shqiptare i ikin dritat. Në konfuzionin që pason, Berisha merr në celular Thaçin që ti kërkojë disa megavat energji borxh, por, në thellësinë e tunelit i vjen përgjigja: “Vala 900. Personi që keni thirrur nuk ka qasje në rrjet. Thuajini të dalë nga tuneli dhe provojeni edhe një herë”.

Ora 12:38fiks - Berisha del nga tuneli, ngjitet në helikopter dhe mbërrin nga ana tjetër e tunelit, ku gjen Hashimin të cilin e ka zënë gjumi me veshin pas muri. Berisha e shkund: “Zgjohu Hashim! Kto jan çaste historike! Ndize termocentralin Kosova B! Ësht çasti të jemi një!” Por Thaçi i bën me shenjë Berishës të heshtë, dhe të dy vënë veshin në mur. Nga ana e Shqipërisë dëgjohen zhurma hapash dhe zëra të mbytur nëpër terr: “ Oh, më falni!” “Unë të fal, por ti shiko ku i fut duart, more zotëri!” “Jozefina, më shkele këmbën!” “Zonjës Eisenhower i humbi pekinezi!” “O Lul, po ti naftë po kërkon o bir?”

Ora 12:55 fiks - Pas ardhjes së dritave, Berisha gjendet përsëri ballë për ballë me murin e integrimit. Ai vë në përdorim çekiçin pneumatik, mirëpo tashmë betoni është mpiksur dhe muri s’dëgjon të bjerë në tokë. Goditjet shkojnë më kot. "Heu", thotë Berisha, "ky qenka ma i fort se muri i korrupsionit!" Por, kur ekspertëve të Shqipërisë duket se u ka humbur filli, nga ana e Kosovës dëgjohet një zë: “Hapuni të gjith se i ndeza fitilat e barutit!” Me ta dëgjuar këtë, Ministri Olldashi i thotë: “Bravo! Ashtu të lumtë!... Kush je ti more trim, dhe sa dinamit ke vënë?” Nga ana tjetër dëgjohet kërcitja e një shkrepëseje, pastaj vjen përgjigja: “Jam Jakup Krasniqi dhe kam vnu 8500 kile tritol!”

Ora 12:55 e 4 sekonda e 7 të qindtat - Në panik të plotë pala shqiptare braktis galerinë e djathtë të tunelit. Turma largohet me furi të papërmbajtshme duke shkelur me këmbë kameramanë, ekspertë amerikanë, qen pekinezë, inxhinjerë turq, dhe zonjën Eisenhower. Në çastin e fundit, Berisha bind Krasniqin të fikë fitilin. “Ka tjetër zgjidhje kjo punë. S’kemi pse të tregohemi të dhunshëm. E di unë si hapet tuneli. Sillni këtu deputetët. Murin ta shembë ai që ka kokën më të fortë”

Ora 13:07 fiks - Pas dëmtimit ballor të kokave të disa deputetëve demokratë, balli i pamposhtur i Ilir Metës shemb murin prej betoni. I pari që kërcen nga ana tjetër është Ndre Legisi. Ilir Meta sheh dritën në fund të tunelit, buzëqesh, belbëzon “Unë kam një plan” dhe i bien të fikët. Ndërkaq, Berishës i vjen lajm se galeria e majtë e tunelit është bllokuar: aty ka ngecur Edi Rama, të cilët këmbët i dalin nga ana e Shqipërisë dhe koka nga ana e Kosovës. Në pritje që të zgjerohet galeria, koka e Edi Ramës që del pakëz nga tuneli, u deklaron televizioneve lokalë: “Për të më nxjerrë mua që këtu duhet një bashkim zemrash dhe shpirtrash, duhet që të gjithë të veprojmë si një trup i vetëm, dhe jo kështu siç po bëjmë tani, që disa më tërheqin nga koka, dhe disa nga këmbët. Kjo që më ka ndodhur mua këtu sot është një bllokim i madh, përtej së majtës e së djathtës”

Ora 13:15 fiks - Buldozeri i Berishës më në fund shemb murin prej betoni në galerinë e djathtë të tunelit Thirrë-Kalimash. Pluhuri që ngrihet nga shembja e murit i mbulon delegacionet me një shtresë të bardhë si pudër. Berisha, të cilin s’e mbajnë këmbët nga gëzimi, zbret i përlotur nga buldozeri dhe përqafohet me kreun e delegacionit kosovar. Ai e shtërngon në krahë plot dashuri teksa i flet: “A je si je bre burrë? A e shef pra që tuneli u kry? A je si je mor Hashim? A e shef pra që jemi një” ...Por burri të cilit po i merrej fryma nga gjithë ky integrim, më në fund arrin të shkëputet dhe i thotë:

“S’jam Hashimi! Jam Blerimi!”


Powered by jWarlock jwFacebook Comments

[Sqarim]

Duhet te jeni te regjistruar per te komentuar.

Vitrina e Librit

Albumi qeveritar

Sondazh

KE refuzoi dhenjen e statusit per Shqiperine sepse...







Results